Ndërtimi i Urave për Mësim mbi Energjinë e Qëndrueshme

Më 28 maj 2025 u zhvillua online takimi informues dhe ndërveprues “Ndërtimi i Urave për Mësim mbi Energjinë e Qëndrueshme”, me qëllim promovimin e energjisë së ripërtëritshme si një mundësi konkrete për zhvillim profesional dhe punësim të qëndrueshëm për të rriturit. Ky aktivitet u organizua në një kohë kur tranzicioni drejt energjisë së pastër kërkon përfshirjen aktive të sektorit të edukimit, në veçanti të edukatës për të rriturit.
Takimi u hap me theksin mbi rëndësinë e lidhjes mes zhvillimeve në sektorin energjetik dhe sistemit arsimor, për të përgatitur të rriturit me njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për tregun e ri të punës.
Në një ndër sesionet kryesore, u prezantuan politikat për energjinë e rinovueshme dhe mundësitë që ato krijojnë për sektorin e arsimit profesional. Ekspertja Bukurije Hoxha theksoi nevojën për përshtatje të kurrikulave dhe ofrimin e trajnimeve që i përgjigjen kërkesave të Agjendës së Gjelbër dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Pjesa e dytë e takimit u përqendrua në praktikat mësimore dhe sfidat konkrete për përfshirjen e të rriturve në profesione të lidhura me energjinë e ripërtëritshme. U prezantuan materiale didaktike për instalimin dhe mirëmbajtjen e paneleve fotovoltaike dhe turbinave me erë, si dhe këshilla praktike për hartimin e fushatave promovuese që motivojnë më shumë individë të ndjekin karriera në këtë sektor.
Në fund, u zhvillua një sesion punëtorie dhe shkëmbimi idesh rreth mundësive për projekte të reja që lidhin arsimin me energjinë e gjelbër, me fokus të veçantë në përfshirjen e edukatës për të rriturit.
Ky takim dëshmoi qartë se edukimi i të rriturve luan një rol kyç në përshpejtimin e tranzicionit energjetik dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të qëndrueshme për të gjithë.