Ceremonia e Certifikimit për programin Curriculum globALE

Më datë 15 prill 2025, u mbajt ceremonia e certifikimit të master trajnerëve në kuadër të programit “Kurrikula globale për mësimin dhe edukimin e të rriturve – Curriculum globALE”, në hapësirat e Fakultetit të Edukimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Programi Curriculum globALE”, synon të fuqizojë kapacitetet profesionale të mësimdhënësve dhe trajnerëve që veprojnë në fushën e arsimit për të rritur, duke kontribuar në përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies dhe të të nxënit gjatë gjithë jetës, përmes përmbajtjeve bashkëkohore dhe metodologjive ndërkombëtare. Në kuadër të këtij programi, 12 pjesëmarrës përfunduan me sukses trajnimet modulare për master trajner sipas kurrikulës ndërkombëtare për trajnimin e trajnerëve dhe edukatorëve për arsimin e të rriturve.
Sipas Prof. Naser Zabelit, koordinator i projektit Curriculum globALE në kuadër të Fakultetit të Edukimit në Prishtinë tha se ky program është akredituar nga MASHTI dhe zbatohet përmes një qasjeje praktike, duke i dhënë përparësi përvojës konkrete në terren më shumë sesa teorisë. Kandidatët për master trajnerë janë angazhuar në mënyrë aktive në zbatimin e moduleve të trajnimit për të cilat kanë qenë përgjegjës, duke kaluar vetë nëpër të gjitha fazat praktike të mësimdhënies dhe të vlerësimit.
Ndërsa, në fjalën e tij hyrëse, Dekani i Fakultetit të Edukimit, Prof. Asoc. Dr. Blerim Saqipi, theksoi rëndësinë e implementimit të kësaj kurrikule brenda institucionit, duke e konsideruar një hap të veçantë dhe jashtë kornizave tradicionale të zhvillimit profesional në arsimin e të rriturve. Sipas tij, programi është premtues për angazhimin e trajnerëve të certifikuar në sektorin e arsimit profesional.
Ndërkohë, znj. Fikrije Zymberi, Drejtoreshë e Përgjithshme e Agjencisë për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsim për të Rritur (AAAPARr), shprehu mirënjohje për të gjithë të pranishmit, veçanërisht për përfaqësuesin e DVV International, z. Ramadan Alija, si mbështetësin kryesor të arsimit për të rritur në vend. Ajo theksoi se Curriculum globALE, që nga fillimi i saj në vitet 2014–2015, ka dëshmuar vazhdimësi dhe rëndësi të veçantë, ndërsa certifikimi i master trajnerëve është dëshmi e përkushtimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm të këtij programi. Ajo shtoi se mungesa e andragogëve në Kosovë vazhdon të jetë një sfidë, por prania e ekspertëve të trajnuar përfaqëson një mundësi të rëndësishme për zgjerimin e rrjetit profesional dhe për kontribut të drejtpërdrejtë në ngritjen e kapaciteteve institucionale.
Z. Ramadan Alija, drejtori i zyrës së DVV International në Kosovë, ndau rrugëtimin e Curriculum globALE në vend, duke theksuar se falë përkushtimit dhe bashkëpunimit të ngushtë me Fakultetin e Edukimit, ky program është integruar me sukses brenda këtij institucioni. Certifikimi i Master Trajnerëve përbën një arritje të rëndësishme dhe një hap domethënës në ndërtimin e kapaciteteve në fushën e arsimit për të rritur. Ai theksoi se, përmes trajnimit të trajnerëve, krijohen mundësi konkrete për forcimin e kapaciteteve të institucioneve relevante në fusha të ndryshme të edukimit dhe arsimimit për të rritur në Kosovë.
Pavarësisht sfidave, programi Curriculum globALE garanton vazhdimësinë dhe qëndrueshmërinë e tij brenda Fakultetit të Edukimit. Një ndër sfidat që mbeten për t’u adresuar është njohja e arsimit jo formal dhe vlerësimi i kredive të fituara përmes këtij programi nga institucionet e arsimit të lartë.
DVV International Kosovo web: https://www.dvv-international.ge/alb/kosova/lajmet/article/certification-ceremony-of-master-trainers-within-the-curriculum-globale-program