European Commission logo
Identifikohu Create an account

Popular searches on EPALE

EPALE - Platforma Elektronike për të Nxënit e të Rriturve në Evropë

Blog

Rrugëtimi i programit nërkombëtarë për trajnimin e Edukatorëve për të rritur „Curriculum globALE (CG) në Kosovë"

Curriculum globALE (CG) është një kuadër kurrikular modular i bazuar në kompetenca për trajnimin e edukatorëve të të rriturve në mbarë botën.

Curriculum globALE (CG) është një kuadër kurrikular modular i bazuar në kompetenca për trajnimin e edukatorëve të të rriturve në mbarë botën. Ky kurrikulum është zhvilluar në bashkëpunim nga Instituti Gjerman për Arsimin e të Rriturve (DIE), Qendra Leibniz për Mësimin Gjatë Gjithë Jetës dhe DVV International, Instituti për Bashkëpunim Ndërkombëtar i Shoqatës Gjermane për Arsimin e të Rriturve. Ai përshkruan aftësitë e nevojshme për të udhëhequr kurse të suksesshme dhe ofron udhëzime për zbatimin e këtyre aftësive në praktikë.

Curriculum globALE (CG) synon të ofrojë një nivel të kualifikimit për edukatorët e të rriturve, duke përmbushur standardet profesionale të cilësisë. Ajo ofron njohuri të avancuara në fushën e andragogjisë për profesionistët e angazhuar në arsimin e të rriturve, duke ndihmuar në fuqizimin e kapaciteteve të tyre profesionale dhe në përmirësimin e cilësisë së arsimit për të rritur në vend. Kjo kurrikulë është një mjet i fuqishëm për institucionet dhe organizatat që ofrojnë arsimin për të rritur (ALE), duke kontribuar në zhvillimin e një arsimi të qëndrueshëm dhe efektiv. Ajo është një referencë ndërkombëtare dhe shërben për të siguruar cilësinë e arsimit për të rritur, duke iu përshtaur gjithashtu politikave arsimore dhe sistemeve të arsimit për të rritur në mbarë boten. 

Qëllimi i Curriculum globALE është të krijojë mundësi për trajnimin e edukatorëve të të rriturve në përputhje me parimet e arsimit për të rritur dhe standardet ndërkombëtare të përshtatshme për përdorim në vende të ndryshme të botes. 

Zbatimi i programit Curriculum globALE nga DVV International në Kosovë ka filluar që nga viti 2015, me qëllim ofrimin e trajnimeve për zhvillimin profesional të mësimdhënësve dhe trajnerëve të angazhuar në arsimin për të rritur. Në kuadër të këtij programi, DVV International, në bashkëpunim me Agjencinë për Punësim të Republikës së Kosovës (APRK) dhe Agjencinë për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsimin e të Rriturve (AAAPARr) ka organizuar një sërë trajnimesh për përgatitjen e trajnerëve të rinj, duke kontribuar në ngritjen e kapaciteteve dhe përmirësimin e cilësisë së arsimit për të rritur në vend. Ky program ka ndikuar në zhvillimin e edukatorëve të të rriturve në shkollat profesionale, Qendrat e Kompetencës dhe Qendrat e Aftësimit Profesional. Përmes trajnimeve të realizuara në kuadër të Curriculum globALE, është krijuar një rrjet i gjerë edukatorësh të trajnuar, që ndikojnë drejtpërdrejt te qindra përfitues të tjerë.

Gjithashtu, DVV International në Kosovë ka pëkthyer dhe ka publikuar edhe në gjuhen shqipe 5 modulet e Curriculum GlobALE, si një kurrikul ndër-kulturor për trajnimin e edukatorëve të të rriturve. Këto module janë krijuar për praktikuesit e arsimit për të rritur dhe kanë për qëllim ndihmën e edukatorëve në adresimin e shtyllave të arsimit për të rritur dhe rëndësinë e tij për zhvillimin social dhe personal, të pjesmarrësve.  

Në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet DVV International dhe Fakultetit të Edukimit të Universitetit të Prishtinës, më 4 mars 2022 u nënshkrua një Memorandum Bashkëpunimi për lansimin e Curriculum globALE në këtë fakultet. Si rezultat i këtij bashkëpunimi, më 29 qershor 2022 u bë edhe lansimi zyrtar i Curriculum globALE. Në vazhdimësi të aktiviteteve, me 15 prill 2025, u mbajt ceremonia e certifikimit të 12 pjesmarrëve  të cilët përfunduan me sukses trajnimet modulare për master trajnerë sipas  programit “Kurrikula GlobALE për Mësimin dhe Edukimin e të Rriturve” në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. 

Bashkëpunimi ndërmjet DVV International dhe Fakultetit të Edukimit të Universitetit të Prishtinës ka krijuar një mundësi të shkëlqyer për zhvillimin e mëtutjeshë  profesional  të një numri të madh të edukatorëve të përfshirë në arsimin e të rriturve, përfshirë institucionet publike dhe ofruesit tjerë të Arr në Kosovë, duke mundësuar një qasje më të thellë dhe të qëndrueshme në fushën e arsimit për të rritur. Programet e trajnimit dhe lansimi i Curriculum GlobALE janë hapa të rëndësishëm për të forcuar kapacitetet profesionale dhe për të përmirësuar cilësinë e arsimit për të rritur në vend.

Curriculum GlobALE është një mjet i rëndësishëm për zhvillimin e arsimit për të rritur, duke ofruar një kuadër të adaptueshëm dhe të integruar që mund të përshtatet për kontekste të ndryshme kombëtare dhe rajonale. Me integrimin e saj në kuadër të Fakultetit të Edukimit në Prishtinë dhe me mbështetjen e saj nga DVV International dhe partnerët e tjerë, ky program do të vazhdojë të kontribuojë në fuqizimin e edukatorëve të të rriturve në Kosovë dhe përmirësimin e cilësisë së arsimit për të rritur në të gjithë rajonin.

Likeme (2)

Komente

Users have already commented on this article

Identifikohu ose Regjistrohu për të postuar komente.